Shasivari: Krimi nuk duhet të jetë fitimprurës
Ministri i Drejtësisë kërkon konfiskim efektiv të pasurisë së paligjshme gjatë Forumit në Budva.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë mbajtjes së Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në Budva, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka deklaruar se lufta ndaj korrupsionit kërkon përgjegjësi reale dhe rezultate konkrete. Gjatë fjalës së tij në panelin e dedikuar korrupsionit, ai theksoi se sundimi i ligjit mbetet themel i besimit në institucione, duke veçuar rastet e niveleve të larta si provë për pavarësinë e drejtësisë. «Vëmendje të veçantë i kushtojmë trajtimit efikas të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, si një nga treguesit kryesorë të efektivitetit të sistemit të drejtësisë dhe aftësisë së tij për të siguruar përgjegjësi, pavarësisht pozitës apo ndikimit të autorëve», është shprehur ministri.
Në kuadër të ndryshimeve dhe nismave institucionale, Shasivari ka bërë të ditur se janë përgatitur Kodi i ri Penal dhe Ligji i ri për Procedurën Penale, të cilat sjellin sanksione më të rënda dhe mjete më efektive për konfiskimin e pasurive. «Qëllimi ynë është i qartë – krimi nuk duhet të jetë fitimprurës dhe pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme nuk duhet të mbetet në duart e autorëve të veprave penale», ka porositur ai. Përveç këtyre, janë përgatitur edhe ndryshime në ligjet për parandalimin e konfliktit të interesave, lobimin, si dhe ligji i ri për mbrojtjen e sinjalizuesve. Krahas reformave ligjore, kryetarët e gjykatave themelore nga rajonet e apelit të Shkupit, Manastirit, Gostivarit dhe Shtipit kanë nënshkruar politika të integritetit në bashkëpunim me OSBE-në.
Lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, Shasivari ka përmendur nevojën e shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit me institucionet evropiane, përfshirë EUROJUST-in, duke vlerësuar se korrupsioni nuk njeh kufij. Ai gjithashtu ka përshëndetur strategjinë e re të Bashkimit Evropian kundër korrupsionit dhe ka vënë theksin te mbështetja e Komisionit Evropian, si dhe te procesi i vlerësimit të GRECO-s. «Për ne është veçanërisht e rëndësishme që reformat të sjellin përfitime të dukshme dhe konkrete, si për institucionet, ashtu edhe për qytetarët», ka përmbyllur ai.