Mësuesit e diasporës mblidhen në Prizren për mësimin e shqipes
Arsim Canolli hapi diskutimet mbi çështjet aktuale të mësimit plotësues
PRIZREN — Dita e dytë e Seminarit XIX Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë u zhvillua më 29 korrik 2026, duke ndërthurur punën shkencore me njohjen e trashëgimisë historike të qytetit të Prizrenit. Arsim Canolli hapi diskutimet mbi çështjet aktuale të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Pjesëmarrësit u ndanë në pesë salla, ku u zhvilluan sesione tematike me referues nga vende të ndryshme të diasporës shqiptare. Në sesionin e paradites u trajtuan tema që lidhen me rolin e shkollës shqipe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, motivimin e nxënësve për të ndjekur mësimin e gjuhës shqipe, përdorimin e mjeteve dhe platformave digjitale, si edhe bashkëpunimin me familjen dhe komunitetin.
Pas pushimit të kafesë, punimet vijuan me një tjetër cikël kumtesash. Në këtë pjesë të programit, Eva Paloka, nënkryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, paraqiti kumtesën me temë: “Motivimi i nxënësve përmes përdorimit të materialeve dhe aktiviteteve tërheqëse”.
Programi vijoi me veprimtarinë kulturore, e cila përfshinte një vizitë në qytetin historik të Prizrenit dhe njohjen me trashëgiminë e tij kulturore. Mësuesit vizituan qendrën historike të qytetit, ecën përgjatë brigjeve të Lumbardhit, kaluan mbi Urën e Gurit dhe patën mundësinë të shijojnë atmosferën karakteristike të një prej qyteteve më të rëndësishme historike shqiptare.
Një nga ndalesat më domethënëse ishte Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, monumenti që ruan kujtesën e organizimit politik kombëtar të shqiptarëve. Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me historinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, me dokumentet, objektet dhe dëshmitë historike që pasqyrojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Mbrëmja vazhdoi në atmosferën e ngrohtë të Prizrenit, mes bisedave, fotografive të përbashkëta dhe çasteve miqësore që forcuan edhe më shumë lidhjet profesionale dhe njerëzore ndërmjet mësuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Dita e dytë dëshmoi edhe një herë se Seminari Mbarëkombëtar nuk është vetëm një forum shkencor, por edhe një hapësirë ku ndërthuren arsimi, historia, kultura dhe bashkëpunimi, duke krijuar ura të qëndrueshme mes mësuesve shqiptarë kudo që ata jetojnë dhe ushtrojnë misionin e tyre fisnik.
Burim: Dielli, https://gazetadielli.com/seminari-xix-mbarekombetar-per-mesimin-plotesues-ne-gjuhen-shqipe-ne-diaspore/
— Redaksia ZHURMA