Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Enjte · 30 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Rame Lahaj mbyll festivalin me tre solistë ndërkombëtarë në Prishtinë

Tre artistë ndërkombëtarë u bashkuan me tenorin Rame Lahaj për të kënduar këngët e Nexhmije Pagarushës në Sheshin 'Skënderbeu'.

Redaksia ZHURMA + Ruaj
Rame Lahaj mbyll festivalin me tre solistë ndërkombëtarë në Prishtinë
FOTO · Foto: Portrait of Rame Lahaj 1 / Wikimedia Commons

PRISHTINË — Rame Lahaj International Opera Festival u mbyll me "Gala Night – Rame Lahaj & Friends", një koncert që solli në skenën e Sheshit "Skënderbeu" katër artistë ndërkombëtarë të operës dhe motivin e edicionit, "Play Music, Not War", të shoqëruar me pamje nga lufta e fundit në Kosovë të shfaqura në ekranin e skenës.

Para fillimit të koncertit, publiku pa një retrospektivë video të gjithë edicionit, që nisi më 4 korrik me ekspozitën "Before Beauty, After Beauty" kushtuar fotografit Fadil Berisha, dhe vazhdoi me koncertet homazh për Nexhmije Pagarushën në Ferizaj e Istog, "Young Classics" dhe "Opera Night".

Koordinatori artistik i festivalit, Besmir Vokopola, iu drejtua publikut para koncertit: "Në një kohë kur e gjithë bota është në konflikt, ka luftëra kudo, ne zgjedhim atë armën e vetme që sjell solidaritet, që na bashkon, që na bën njerëz më të mirë e që është pikërisht muzika," u shpreh ai.

Koncerti nisi me uvertyrën e "Il Barbiere di Siviglia" të Rossinit, në interpretim të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar nën drejtimin e dirigjentit Giuseppe Finzi. Në vazhdim performuan bass-baritoni Luca Pisaroni, mezzo-sopranoja Stepanka Pučálková dhe sopranoja Vanessa Goikoetxea, me arie nga Rossini, Puccini e Donizetti.

Tenori kosovar Rame Lahaj interpretoi "E lucevan le stelle" nga "Tosca" e Puccinit, të përcjellë nga duartrokitje të gjata. Ai iu drejtua më pas publikut duke falënderuar mbështetësit e festivalit dhe duke folur për Fondacionin "Rame Lahaj", përmes të cilit synon të krijojë mundësi për artistët e rinj kosovarë.

Mbrëmja vazhdoi me një medley të përgatitur nga Gerti Druga, me këngët shqipe "O bilbil o i bukuri i shpendëve", "Më ka zënë maraku" dhe "Kur më del në derë", përpara se katër artistët — Pisaroni, Pučálková, Goikoetxea dhe Lahaj — të bashkoheshin për të kënduar këngët e Nexhmije Pagarushës, "Vetë ke mbet" dhe "E kujtoj atë takim".

Burim: KultPlus
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Kosovë →

Nga Enciklopedia

Muzeu →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →