Rama premton bashkëpunim me Prokurorinë, i kërkon të njëjtën gjë Kurtit
LVV dorëzoi kallëzimin një ditë më parë, bazuar në një sinjalizim anonim për legalizime të dyshuara si të kundërligjshme.
PRISHTINË — Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, reagoi të premten (31 korrik) pas kallëzimit penal që Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi kundër tij dhe disa zyrtarëve komunalë në Prokurorinë Speciale, duke thënë se e mirëpret faktin që çështja i është drejtuar Prokurorisë dhe se Komuna do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.
“Dyert e Kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë. Garantojmë bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë, si gjithmonë, padiskutim”, shkroi Rama, duke shtuar se Komuna do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj kujtdo që konstatohet se ka shkelur ligjin.
Rama e përdori reagimin edhe si replikë politike, duke i kërkuar kryeministrit Albin Kurti t'i përgjigjet po ashtu Prokurorisë: “Ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, tha ai, duke iu referuar kërkesës së ngjashme që e kishte bërë edhe më parë.
Kallëzimi penal u dorëzua një ditë më parë, më 30 korrik, nga Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë, përmes asamblistëve në Kuvendin Komunal, Berita Abazi dhe Çlirim Gërbeshi, me akuzën për dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në disa procese komunale.
Sipas Abazit, kallëzimi bazohet në një sinjalizim anonim, marrë një ditë më parë nga një grup asamblistësh të Prishtinës; në komunikime përmendet edhe shefi i kabinetit të Ramës, ndërsa flitet për kompani ndërtimi dhe shuma të mëdha parash që, sipas sinjalizuesit, lidhen me legalizime “tërësisht të jashtëligjshme”.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA