Punëtorët e Infrakos-it paralajmërojnë protestë për paga
Punëtorët e ndërmarrjes publike do të protestojnë për indeksimin e pagave pas dështimit të negociatave.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Infrakos” Sh.A. do të mbajnë një protestë në Fushë Kosovë, për shkak të pakënaqësive të akumuluara me menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes. Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa kryesore e kësaj proteste është indeksimi i pagave të punëtorëve, në mënyrë që ato të përshtaten me ndryshimet e kostos së jetesës dhe të garantohet trajtim i drejtë për secilin prej tyre.
Organizatorët bëjnë të ditur se vendimi për këtë hap erdhi pas dështimit të kërkesave të shumta me shkrim dhe negociatave të zhvilluara nga Sindikata me menaxhmentin dhe bordin, të cilat nuk sollën asnjë sukses. Protesta do të zhvillohet më 26.10.2026, ditë e hënë, me fillim në orën 08:00, para Stacionit Hekurudhor në Fushë Kosovë.