Promovimi i librit për krimet në Deçan bashkon mërgatën në Zvicër
Libri i Adem Lushajt për krimet e luftës promovohet në St. Gallen me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe mërgatës.
Redaksia ZHURMA · · 3 min lexim
Promovimi i librit «Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit», me autor MSc. Adem Lushaj, u mbajt në St. Gallen të Zvicrës, duke mbledhur bashkatdhetarë të ardhur nga Zvicra, Gjermania dhe Franca. Vepra dokumenton krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999, me fokus të veçantë në Deçan.
Ky organizim kulturor dhe kombëtar u parapri nga një takim zyrtar ku autori Adem Lushaj dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, i cili shoqërohej nga zëvendësi Avni Fejzullahu dhe sekretari Betim Qorraj. Gjatë këtij takimi, zyrtarët zhvilluan një bashkëbisedim rreth çështjeve me interes të përbashkët, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe e ruajtjes së lidhjeve të ngushta me mërgatën shqiptare.
Organizimi i këtij eventi u mbështet nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Shqiptare «SHARRI» dhe Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Përveç fjalëve përshëndetëse të Konsullit të Përgjithshëm Vigan Berisha dhe kryetarit të Komunës Bashkim Ramosaj, për rëndësinë e dokumentimit të së vërtetës historike folën edhe Islam Sadiki në emër të Shoqatës «SHARRI», si dhe Mentor Thaqi nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili prezantoi gjithashtu fjalën e Musa Jupollit.
Në këtë aktivitet, Shoqata Kulturore Shqiptare «SHARRI» ndau mirënjohje për autorin e librit Adem Lushaj dhe kryetarin e Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, si shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e tyre. Gjatë bashkëbisedimit u shpreh gjithashtu interesim i veçantë për raste konkrete të krimeve të luftës, me theks të posaçëm te Masakra e Belegut, e cila zë vend të rëndësishëm në kujtesën historike të popullit shqiptar.
Pjesëmarrësit dhe organizatorët vlerësuan se ngjarje të tilla shërbejnë për të dëshmuar të vërtetën dhe për të mos lejuar që vuajtjet e viktimave të harrohen nga brezat e ardhshëm. Një falënderim i veçantë iu drejtua aktivisteve të Shoqatës «SHARRI», të cilat u kujdesën për përgatitjen e ushqimeve tradicionale shqiptare, duke i dhënë ngjarjes një frymë të ngrohtë tradite kombëtare.
Pyetje e përgjigje
Kush është autor i librit për krimet në Deçan?
Autori i librit «Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit» është MSc. Adem Lushaj.
Ku u mbajt promovimi i librit?
Promovimi i librit u mbajt në St. Gallen të Zvicrës, pas një takimi paraprak në Konsullatën e Përgjithshme në Cyrih.
Cila ngjarje u përmend veçanërisht gjatë promovimit?
Gjatë promovimit u theksua rasti i Masakrës së Belegut dhe krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998–1999.