Sadiku: Mbi 2 milionë euro për import të rrymës vetëm dje
Deputeti i LDK-së kritikoi menaxhimin e energjisë pas daljes nga funksioni të blloqeve në KEK.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës në sektorin e energjisë elektrike, duke bërë të ditur se gjatë një dite të vetme janë shpenzuar mbi dy milionë euro për importin e rrymës. Gjatë një postimi në rrjetet sociale, ai ka theksuar se përveç mosfunksionimit të blloqeve B1 dhe B2 të termocentralit Kosova B, nga funksioni ka rënë edhe blloku A3 i Kosovës A. Duke kritikuar udhëheqjen e këtij sektori, deputeti ka shtuar se «mbi 2 MILIONË EURO i kemi shpenzu dje për import të rrymës. DJE. VETËM DJE! 2 MILIONË».
Sipas tij, pasojat financiare të këtij keqmenaxhimi bien drejtpërdrejt mbi qytetarët e vendit. Sadiku ka përfunduar reagimin e tij me kritika të rënda ndaj qasjes aktuale ndaj institucioneve dhe buxhetit shtetëror, duke paralajmëruar se «faturën, si gjithmonë, e paguajnë qytetarët».