Pse Shqipëria po bëhet destinacioni numër një për turistët amerikanë?
Rritja 300% e rezervimeve në 2025 dhe peizazhet e pazbuluara e bëjnë vendin një alternativë ndaj Evropës së tejmbushur.
TIRANË — Shqipëria po shfaqet si alternativa ideale për turistët që kërkojnë Evropën autentike dhe më pak të frekuentuar, shkruan media amerikane „USA Today“. Rajoni i Ballkanit, veçanërisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina, ofrojnë peizazhe natyrore mahnitëse, kulturë të larmishme dhe raport të shkëlqyer cilësi-çmim.
Ekspertët e udhëtimeve theksojnë se Ballkani u jep vizitorëve mundësinë për të zbuluar vende ende të pazbuluara, përpara se të kthehen në destinacione të turizmit masiv. „Ballkani po kalon momentin e tij, sepse ofron atë që Evropa Jugore ofronte 20 vite më parë — ndjesinë e zbulimit të vërtetë dhe çmime të favorshme“, tha Lee Thompson, drejtor i marketingut në kompaninë e udhëtimeve aventurore „Flash Pack“.
Shqipëria u shqua si destinacioni numër një për turistët amerikanë të „Flash Pack“ në 2025, me një rritje prej 300% të rezervimeve brenda një viti. „Shqipëria të jep ndjesinë e Greqisë së dikurshme, para se ta zbulonte e gjithë bota. Është një perlë e fshehur e Evropës“, shtoi Thompson. Vendi ofron një kombinim të peizazheve malore, plazheve dhe kulturës lokale, me çmime shumë më të ulëta se destinacionet tradicionale si Greqia apo Zvicra.
Ekspertët këshillojnë që Tirana të përdoret si bazë për udhëtim, me mundësinë për të marrë makinë me qira dhe eksploruar Alpet Shqiptare ose plazhet e bregdetit. „Shqipëria është afërsisht sa shteti amerikan i Vermontit, prandaj lëvizja nga një zonë në tjetrën është e lehtë“, tha Sara Campana, krijuesja e përmbajtjeve për udhëtime. Ajo theksoi se atmosfera lokale dhe ushqimet autentike janë ndër elementët më të vlerësuar nga turistët.
„Na pëlqeu të vizitonim kështjellat, vendet e mbrojtura nga UNESCO dhe të shijonim jetën e përditshme“, shtoi Campana. Kompania „Flash Pack“ ka krijuar paketën turistike „Untouched Albania“ pasi turistët kërkonin destinacione që ende nuk janë zbuluar nga turmat. „Shqipëria vazhdon të ofrojë këtë ndjesi, megjithëse po zhvillohet me shpejtësi në fushën e turizmit“, tha Thompson.
Zhvillimi i infrastrukturës, si ndërtimi i rrugëve dhe rritja e kulturës së mikpritjes, po përmirësohet me ritme të shpejta. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet porta kryesore hyrëse, ndërsa Alpet Shqiptare janë ndër destinacionet më të preferuara për ecje malore. Sipas të dhënave, Shqipëria ka regjistruar një bum të rezervimeve, duke u bërë një nga vendet më të kërkuara për turistët që dëshirojnë të shmangen nga turizmi masiv.
Burim: USA Today (përmes ATSH)
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.