FMN kundërshton paketën fiskale dhe uljen e TVSH-së për ushqimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikon masat e qeverisë për vitin 2027 dhe kërkon politika më pak ekspansioniste.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur rezervat e tij ndaj disa prej masave kryesore të paketës fiskale të qeverisë për vitin 2027, duke paralajmëruar se ato mbartin kosto të larta për buxhetin e shtetit. Sipas institucionit ndërkombëtar, ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe nuk janë të shënjestruara te familjet në nevojë. Ekspertët e Fondit theksojnë se mbështetja për shtresat e cenueshme do të ishte më efektive nëse do të jepej përmes ndihmës sociale të drejtpërdrejtë.
Nga ana tjetër, institucioni vlerëson pozitivisht disa elemente të paketës, të cilat parashikojnë zgjerimin e bazës tatimore dhe kufizimin e trajtimeve preferenciale. Këtu përfshihen ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore, përafrimi i tatimit mbi dividendin dhe reduktimi i lehtësive për sektorin e akomodimit turistik, ku TVSH-ja pritet të rritet nga 6% në 10%. Ndërkohë, paketa fiskale e miratuar në parim nga Kuvendi në seancën e 18 nëntorit sjell gjithashtu rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% dhe zbritjen e saj në 6% për 54 produkte ushqimore bazë.
Në vlerësimin për ekonomisë e vendit, Fondi parashikon që rritja ekonomike të jetë 3,5 për qind në vitin 2026, për t'u afruar më pas me ritmin prej 3,2 për qind. Megjithatë, zhvillimet negative si plakja e popullsisë, emigracioni, si dhe rreziku i zgjatjes së trazirave sociale dhe tensioneve gjeopolitike mund të rëndojnë mbi turizmin, investimet dhe agjendën e reformave. Për sa i përket sistemit të pensioneve, rekomandohet reformimi i skemës përmes ruajtjes së natyrës kontributive dhe lidhjes së moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë, në vend të përdorimit të bonuseve ad hoc.