Topjana prezanton skandalet botërore të fshehjes së pasurive
Emisioni Review trajton rastet e pazakonta të fshehjes së parave nga zyrtarët në botë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Moderatorja Greta Topjana ka listuar rastet e pazakonta të fshehjes së pasurive dhe parave nga zyrtarë të lartë në vende të ndryshme të botës. Gjatë emisionit, ajo ka shpjeguar vendet se ku janë gjetur dhe sa para janë sekuestruar nëpërmjet një grafiku përmbledhës.
Në Shqipëri janë përmendur rastet e parave kesh dhe lingotave të arrit të fshehura mes ullishteve, si dhe rasti i ish-drejtoreshës së kabinetit Alda Klosi, ku mbi 500 mijë euro u gjetën në tubin e aspiratorit. Ndërkohë, në Brazil një ish-ministër kishte fshehur 16.4 milionë dollarë në valixhe dhe kuti kartoni, kurse në Argjentinë ish-sekretari i punëve publike kishte fshehur gati 9 milionë dollarë në çanta dhe në muret e një manastiri. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-kongresmeni William Jefferson mbante 90 mijë dollarë të paketuara brenda kutive të ushqimeve në frigorifer.
Listës i janë shtuar edhe shtete të tjera me forma të ndryshme fshehjeje, si Hungaria me para në pyje, hambare e magazina, Filipinet me dhoma të mbushura me ar, bizhuteri e para, Rusia me banesën e një ish-koloneli të policisë të mbushur plot me para, Ukraina me zyrtarë rekrutimi që kishin fshehur para në dhomat e shtëpisë dhe brenda kolltuqeve, Kroacia me pasuri e vepra arti në dhoma sekrete, si dhe Maqedonia e Veriut ku janë gjetur para në çanta luksoze.