Protestë kombëtare në Prishtinë për drejtësi pas vrasjes së Arlindës
Qytetarët protestojnë para institucioneve në <a href="/prishtina/">Prishtinë</a> duke kërkuar llogaridhënie shtetërore dhe drejtësi për gratë e vrara.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PRISHTINË — Qytetarët janë mbledhur në Prishtinë në një protestë kombëtare për të kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka bërë të ditur se mobilizimi qytetar shtrihet në solidaritet nga Prishtina në Pejë dhe nga Mitrovica në Ferizaj.
Pas tubimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, protestuesit kanë marshuar drejt ndërtesave të institucioneve të vendit, përfshirë Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Organizatorët kanë theksuar se kërkesat kryesore mbeten drejtësia për viktimën, përgjegjësia institucionale dhe mbrojtja e grave nga dhuna.
Sipas njoftimit të organizatorëve, revolta qytetare nuk do të ndalet me këtë tubim. «Zëri ynë do të dëgjohet. Shteti do të japë llogari», thuhet në thirrjen e kolektivit, duke shtuar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave dhe vendosjen e drejtësisë për të gjitha gratë e vrara.