Ndërprerje e energjisë elektrike për shkak të punimeve në rrjet
KEDS ka njoftuar për ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të vendit për shkak të punimeve të domosdoshme.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Disa zona në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe lokalitete të tjera do të përballen me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për shkak të punimeve për sigurinë e sistemit, projekteve investive dhe ndërrimit të njehsorëve. Sipas njoftimeve, në Fushë Kosovë nga ora 07:30 deri në 08:00 do të ketë ndërprerje për shkak të ndryshimit të furnizimit në nënstacion, duke prekur rrugë si Pal Paluci, Bedri Pejani, rruga e Pejës–ACL, Rexhep Krasniqi, një pjesë e rrugës Nënë Terezë, si dhe objekte të ndryshme tregtare dhe banimi.
Në Prishtinë, nga ora 09:00 deri në 18:00, ndërprerja do të përfshijë një pjesë të rrugëve Fehmi Agani dhe Luan Haradinaj, si dhe Qeverinë e Kosovës, për shkak të konvertimit të daljes nga tensioni 10 kV në 20 kV. Ndërkaq, në zonën e Albanës së Madhe, nga ora 10:30 deri në 15:30, do të punohet në vendosjen e kabllos ABC. Punime të tjera përfshijnë shtrirjen e kabllit dhe energjizimin te Lagjja e Spitalit 2, ndërrimin e ormanëve në rajonin e Shupkovcit dhe Kçiqit, si dhe ndërrimin e njehsorëve elektrikë te ndërtesa te supermarketi në Fushë Kosovë.