Në mesin e të arrestuarve për shpërthimin në Athinë është edhe një shqiptar
Një shtetas shqiptar dhe dy grekë dalin para prokurorit pasi dyshohet se vjedhja e tubave të bakrit shkaktoi tragjedinë me gjashtë viktima në Athinë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një shtetas shqiptar dhe dy shtetas grekë janë vënë në pranga në Greqi, nën dyshimin se dëmtuan infrastrukturën e furnizimit me gaz gjatë vjedhjes së tubave të bakrit nga një ndërtesë në qendër të Athinës. Arrestimi i tyre u njoftua nga zyrtarët e Brigadës së Zjarrfikësve, pas hetimeve që zbuluan se ndërhyrja në tubacione shkaktoi rrjedhjen e gazit që çoi në shpërthimin fatal më 25 shtator në lagjen turistike të Plakës.
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit kur një banor ndezi dritën, ndërsa në mesin e gjashtë viktimave të shpërthimit në ndërtesën dykatëshe ishin edhe katër shtetas amerikanë. Të dyshuarit pritet të paraqiten para prokurorit për t'u njohur me masat dhe akuzat lidhur me ngjarjen e rëndë.