Infrakosi me rreth 200 punëtorë vazhdon grevën për paga
Greva e punëtorëve të Infrakosit lë vendin pa shërbime hekurudhore, ndërsa kërkohet rritje pagash pas ngritjes së pagës minimale në 500 euro.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Punëtorët e ndërmarrjes publike “Infrakos” po vazhdojnë grevën e nisur këtë të hënë, duke lënë qytetarët pa mundësinë e shfrytëzimit të trenave për transport. Hysen Nikqi nga Këshilli Grevist i Infrakosit ka thënë se pakënaqësitë u shtuan pas rritjes së pagës minimale në 500 euro nga korriku, pasi pagat e të tjerëve nuk u rritën në mënyrë proporcionale, duke ngushtuar dallimet mes punonjësve me përgjegjësi të ndryshme.
Sektori hekurudhor në vend po përballet me vonesa në investime dhe probleme infrastrukturore, ndërsa transporti i udhëtarëve funksionon vetëm me linjën Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas, me nga dy udhëtime në ditë për secilin drejtim. Ndërmarrja numëron rreth 200 punëtorë, kurse Nikqi ka theksuar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave për rritje pagash në përputhje me pozitat dhe përgjegjësitë.