Plakolli-Kasumi: Ligji kundër dhunës në familje ka mangësi praktike
Ekspertja e NDI-së thotë se dispozita të caktuara nuk zbatohen për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe mosfunksionalizimit të mekanizmave.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Ekspertja e NDI-së, Luljeta Plakolli-Kasumi, ka deklaruar se Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore përmban dispozita kontradiktore dhe paqartësi në përkufizimet institucionale. Gjatë një diskutimi për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji, ajo ka përmendur si risi financimin shumëvjeçar të strehimoreve, ndalimin e ndërmjetësimit e pajtimit, si dhe përfshirjen e ministrisë si koordinatore kombëtare.
Sipas saj, ngecja kryesore qëndron te zbatimi në praktikë, pasi mungojnë akte të caktuara nënligjore nga ministritë përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo ka bërë të ditur se linja telefonike emergjente ende nuk është vënë në funksion, kurse fondi emergjent për viktimat gjatë qëndrimit në polici nuk funksionon për shkak të mungesës së financimit.
Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, ka theksuar se ky ligj përfshin përgjegjësi për një numër të madh institucionesh, nga niveli lokal te organet shëndetësore, policia, prokuroria dhe gjykatat. Deputetja e Vetëvendosjes ka rikujtuar se Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar përfshirjen e Konventës së Stambollit në vitin 2020 dhe ka kërkuar përshpejtimin e hartimit të akteve nënligjore që mungojnë, duke paralajmëruar se vonesat mund ta bëjnë ligjin të pazbatueshëm në disa pjesë.