Paraburgim prej një muaji për shtetasin turk I.A. në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj shtetasit turk I.A., i dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim pasurie.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
PRISHTINË — Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit I.A., i cili dyshohet për veprat penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë. Masa është vendosur pas seancës dëgjimore, ku gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston rreziku real që i pandehuri të pengojë zhvillimin e procedurës penale ose t’i shmanget ndjekjes duke u arratisur, pasi është shtetas i Turqisë. Po ashtu, autoritetet gjyqësore vlerësuan se në liri ekziston rreziku që ai të përsërisë veprat e njëjta penale, ndërsa palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.