Çfarë prioriteti ka Ministria e Infrastrukturës për rrugët dhe hekurudhat?
Zef Morina thotë se autostrada e Gjilanit pritet të përfundojë brenda vitit 2027
PRISHTINË — Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, ka deklaruar se Ministria e Infrastrukturës po punon çdo ditë dhe se janë identifikuar problemet e trashëguara në rrugë dhe autostrada, të cilat sipas tij pritet të zgjidhen. Duke folur në emisionin FIVE më 1 korrik 2026, Morina tha se edhe autostrada “Ibrahim Rugova” dhe disa rrugë të tjera kanë pasur ngecje të vjetra, të cilat nuk lidhen vetëm me mandatet e fundit qeverisëse.
"Edhe autostrada ‘Ibrahim Rugova’ edhe rrugët tjera kanë probleme që i kemi identifikuar dhe shumë shpeft do t’i zgjidhim, në mënyrë që të mos ketë më ngecje si më parë. Këto probleme nuk janë të këtij mandati apo të mandatit të kaluar, por janë trashëguar ndër vite", u shpreh ai.
Sa i përket autostradës së Gjilanit dhe rrugës së Dollcit, Morina tha se janë bërë analiza në terren dhe se pritet një vendim pas formimit të institucioneve të reja. "Kemi dalë në terren, kemi bërë analizë dhe shumë shpeft, sapo të krijohen institucionet, do të dalim me një vendim për zgjidhje që rruga të përfundojë brenda vitit 2027", theksoi ai.
Morina foli edhe për prioritetet në mandatin e ardhshëm qeverisës, duke përmendur hekurudhat si një nga pesë shtyllat kryesore të investimeve infrastrukturore. Sipas tij, projekti për rikonstruksionin dhe modernizimin e hekurudhave synon të tërheqë fonde nga Bashkimi Evropian dhe agjenci të ndryshme ndërkombëtare. "Një pjesë e fondeve sigurohet nga shteti, një pjesë përmes kredive të buta, ndërsa rreth 50 për qind pritet të mbulohet nga grante ndërkombëtare", shtoi ai.
Burim: Gazeta Dukagjini, https://www.dukagjini.com/morina-rruget-e-hekurudhat-jane-prioritet-autostrada-e-gjilanit-pritet-te-perfundoje-brenda-vitit-2027/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.