Mollët mbeten pa u shitur, fermerët kërkojnë tregje për eksport
Prodhimi i mollëve është shtuar këtë vit, por çmimi blerës është i ulët dhe fermerët kërkojnë ndërhyrje shtetërore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Prodhimi i mollëve gjatë këtij viti ka shënuar rritje krahasuar me vitet e kaluara, por çmimi blerës ka rënë ndjeshëm, duke sjellë vështirësi në tregtim dhe kosto të larta prodhimi për kultivuesit. Sipas Amet Ismailit, kultivues nga Sellarca e Tetovës me përvojë disavjeçare në këtë fushë, temperaturat më të ngrohta të verës shmangën dështimet dhe sollën një vit cilësor me sasi më të madhe se nevojat e vendit.
«Ky ka qenë viti më cilësor sepse temperaturat e verës ishin të më të ngrohta dhe nuk pati dështime», u shpreh Ismaili, duke shtuar se mungesa e eksportit dhe teprica e prodhimit në tregun vendor ulin çmimin në nivele ku shitja nuk nxjerr as kostot e prodhimit. Përveç kësaj, fermerët theksojnë mungesën e depove frigoriferike për ruajtjen e prodhimit.
Ismaili ka bërë thirrje që institucionet shtetërore të ndërhyjnë. «Depot ku duhet të ruhen mollët mungojnë në vendin tonë, andaj apeloj Ministrinë e Bujqësisë që më shumë të investoj në këtë drejtim dhe në paketimin e mollëve se ka nevojë vendi», deklaroi ai. Mungesa e blerjes me shumicë ka sjellë kalbjen e sasive të mëdha të mollëve, duke detyruar shumë prodhues të heqin dorë përfundimisht nga ky aktivitet bujqësor.