Tetë të lënduar në protestë, mes tyre një deputet dhe dy gazetarë
Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin paraprak për të lënduarit në protestë, mes të cilëve një deputet, një polic, katër protestues dhe dy gazetarë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
TIRANË — Tetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet universitare të Tiranës pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës, sipas të dhënave paraprake të bëra publike deri në orën 16:30 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur gjashtë persona, ku përfshihen një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues. Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë e qetë dhe të gjithë të lënduarit janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit të nevojshëm.
Ndërkaq, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) janë trajtuar një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias, ndërsa institucionet shëndetësore bëjnë me dije se për të gjithë personat e shtruar në të dyja spitalet gjendja shëndetësore paraqitet stabël.