Mehmeti paralajmëron presion institucional në Parlamentin e Serbisë
Visar Mehmeti falënderon votuesit dhe paralajmëron angazhim për të drejtat e shqiptarëve pas sigurimit të ulëseve në Serbi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Deputeti i zgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Visar Mehmeti, ka falënderuar votuesit, aktivistët dhe subjektet politike për kontributin në procesin zgjedhor, duke vlerësuar se bashkëpunimi politik solli përfaqësim me më shumë se një ulëse. Në një mesazh drejtuar bashkëkombësve, ai ka bërë të ditur se ky rrugëtim filloi më 29 shtator me nënshkrimin e marrëveshjes për listë të përbashkët, ngjarje kjo e zhvilluar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.
Mehmeti ka shprehur mirënjohje të veçantë për kryeministrin Albin Kurti, institucionet e Kosovës, partitë politike, personalitetet publike, si dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës në Kosovë e diasporë që udhëtuan për të votuar. Duke folur për sfidën e re institucionaliste, ai ka deklaruar: «Do të angazhohem me përkushtim, vendosmëri dhe përgjegjësi që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet fuqishëm në Parlamentin e Serbisë, që të drejtat tona të mbrohen dhe interesat tona të përfaqësohen me dinjitet».