Mehmet Prishtina dënohet me 10 vjet burgim për 36 milionë euro tokë shteti
Biznesmeni akuzohej edhe për paraqitje të rreme si stërnip i Hasan Prishtinës, pasi dyshohet se përvetësoi 36 milionë euro toka shtetërore.
PRISHTINË — Biznesmeni Mehmet Prishtina u dënua të premten me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë në rastin “Toka 2”, pasi u shpall fajtor për krim të organizuar. Ai dyshohet se përvetësoi 36 milionë euro toka të shtetit në Prishtinë dhe Graçanicë, ndërsa akuzohej edhe për paraqitje të rreme si stërnip i heroit kombëtar Hasan Prishtina.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, i shpalli fajtorë edhe të bashkëakuzuarit e tjerë: Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti u dënuan me nga tetë vjet burgim, ndërsa Avni Maxhuni me gjashtë vjet. Në total, katër të akuzuarit u dënuan me 32 vjet burgim dhe 230 mijë euro gjoba për veprën penale “krim i organizuar”.
Aktgjykimi i shkallës së parë u shpall më pak se dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Prishtinës dhe e obligoi gjykatën të përshpejtojë procesin e nxjerrjes së vendimit në rastin e tij.
Burim: Gazeta Metro
— Redaksia ZHURMA