AUV nis programin e përhershëm të monitorimit të qumështit
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur programin e përhershëm të monitorimit për sektorin e qumështit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur zbatimin e Programit të Përhershëm të Survejimit dhe Monitorimit të Sektorit të Qumështit në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit. Sipas AUV-së, ky program synon vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm mbikëqyrjeje të bazuar në vlerësimin e rrezikut, rezultatet laboratorike dhe historikun e përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore. Kontrollet zyrtare dhe marrja e mostrave do të shtrihen në të gjitha hallkat e zinxhirit, nga ushqimi për kafshët, fermat dhe pikat e grumbullimit, deri te përpunimi, importi, shpërndarja dhe tregtimi i produkteve të gatshme, duke përfshirë si artikujt vendorë ashtu edhe ato të importuara.
Në kuadër të kësaj nisme, çdo muaj do të kryhen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore për të kontrolluar përbërjen dhe cilësinë e produkteve. Kontrollet do të përfshijnë matjen e yndyrave e proteinave, praninë e vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, përdorimin e qumështit pluhur, si dhe testimin për aflatoksinat, mbetjet e antibiotikëve dhe substancat e tjera të palejuara. Analizat mikrobiologjike do të verifikojnë praninë e baktereve të dëmshme si Salmonella spp., Listeria monocytogenes dhe Escherichia coli, ndërsa ushqimi për kafshë do të kontrollohet për mikotoksina dhe kontaminues.
Sipas njoftimit, programi është pjesë e iniciativës së ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, për të forcuar kontrollin, mbrojtur shëndetin publik dhe garantuar konkurrencën e drejtë. Në rast se konstatencat tregojnë parregullsi apo shkelje, AUV-ja do të ndërmarrë masa ligjore që përfshijnë ndalimin e tregtimit, tërheqjen e produkteve që nuk plotësojnë standardet dhe inicimin e procedurave ndaj operatorëve përgjegjës, ndërsa zbatimi i tij kontribuon në përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.