Maqedonia siguron mjete shtesë për investime kapitale dhe mbrojtje sociale
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska parashtron plotësimin e Propozimit për ndryshimet dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026
SHKUP — Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, parashtronte sot plotësimin e Propozimit për ndryshimet dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026 para deputetëve në Kuvend. Propozimi i ribalancit të plotësuar për Buxhetin e vitin 2026 siguron mjete shtesë për përshpejtimin e investimeve kapitale, mbështetjen e bujqësisë, komunave dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, si dhe plotësimin e pandërprerë të detyrimeve ligjore.
Ndryshimet e propozuara janë të destinuara drejt vazhdimit të politikave për stabilitetin ekonomik, zhvillimin dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike. Ministrja theksoi se plotësimi i Propozimit përfshin ndryshimet e propozuara nga Qeveria, si dhe amendamentet që u pranuan gjatë debatit në komisionin parlamentar amë, duke përforcuar më tej mbështetjen për qytetarët dhe politikat zhvillimore.
Për vitin 2026 është projektuar rritje reale e prodhimit të brendshëm bruto prej 3.5%, ndërsa shtytësi kryesor i aktivitetit ekonomik do të jenë investimet, të mbështetura nga realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore dhe investimeve kapitale në nivel qendror dhe lokal. Pritet që investimet të rriten me 7.2%, paga mesatare neto me 8.3%, papunësia të ulet më tej në 11%, ndërsa shkalla e punësimit të arrijë në 47%.
Inflacioni mesatar i projektuar për vitin 2026 është 4.5% dhe, në pjesën më të madhe, kushtëzohet nga presionet e jashtme mbi çmimet dhe zhvillimet gjeopolitike. Veçanërisht u theksua realizimi i shpenzimeve kapitale, të cilat në periudhën janar–qershor arritën në 19.4 miliardë denarë, ose 53.5% më shumë krahasuar me periudhë e njëjtën të vitit të kaluar.
Ulja e të hyrave nga akcizat dhe pjesërisht nga TVSH-ja është rezultat i masave të Qeverisë për uljen e akcizave për derivatet e naftës, me qëllim zbutjen e goditjes së çmimeve ndaj qytetarëve dhe ekonomisë. Në anën e shpenzimeve, mjetet rishikohen në 425.8 miliardë denarë dhe destinohen drejt prioriteteve të përcaktuara qartë – sigurimin e mjeteve për plotësimin e detyrimeve ligjore, rritjen e pagave, mbështetjen e bujqësisë, mbrojtjen sociale, komunat dhe investimet kapitale.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime ulen me rreth 800 milionë denarë përmes rialokimit të mjeteve, duke ruajtur përkushtimin për një menaxhim racional dhe të disiplinuar të financave publike. Njëkohësisht, përmes amendamenteve të miratuara janë siguruar mjete për mbështetjen e grave të cilat kryejnë veprimtari bujqësore, për krijimin e linjës nacionale SOS për viktimat e dhunës në familje, si dhe për hapjen e vënien në funksion të dy qendrave të kujdesit për viktimat e dhunës.
Po ashtu, me plotësimin e Propozimit të ribalancit janë siguruar mjete për realizimin e disa projekteve dhe aktiviteteve prioritare. Janë paraparë 6 milionë denarë për transportin e ujit në vendbanimet e komunës së Gostivarit, për shkak të shpalljes së epidemisë, 1 milion denarë për Drejtorinë e Ekzekutimit të Sanksioneve, 10 milionë denarë për rikonstruimin e fakulteteve përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe 12 milionë euro për Prokurinë Publike për vazhdimin e licencës për prokurimin e softuerit.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska i ftoi të gjithë deputetët që ta përkrahin plotësimin e Propozimit për ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2026, duke theksuar se me miratimin e tij do të sigurohen mjete për plotësimin pa ndërprerje të detyrimeve ligjore, vazhdimin e investimeve dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, si bazë për rritjen e mëtejshme ekonomike dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët.
Burim: Tetova Sot, https://tetovasot.com/2026/07/dimitrieska-kocoska-ribalanci-siguron-me-shume-mjete-per-investimet-kapitale-bujqesine-mbrojtjen-sociale-dhe-komunat/
— Redaksia ZHURMA