Qeveria shqiptare vendos kufij të rinj për zhurmat në bregdet
Rregullat, të miratuara nga qeveria, kufizojnë zhurmën në 65 decibel deri në orën 20:00 dhe në 45 decibel deri në 23:00, sipas ministrit Lamallari.
LEZHË — Qeveria shqiptare miratoi standarde të reja për kufizimin e zhurmave në zonat bregdetare, duke përcaktuar kufij në jo më shumë se 65 decibel nga mëngjesi deri në orën 20:00, dhe vetëm 45 decibel deri në orën 23:00 të mbrëmjes. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, prezantoi këto masa në Lezhë, duke e cilësuar ndërhyrjen si të domosdoshme në kulmin e sezonit turistik.
Lamallari theksoi se pushuesit kërkojnë mbi të gjitha qetësi dhe kushte të përshtatshme pushimi. Sipas tij, kontrollet do të jenë të vazhdueshme në terren, ndërkohë që nuk përjashtohet që kjo masë të hasë edhe kundërshti nga biznese të caktuara. Megjithatë, ministri nënvizoi se vendosja e kufijve për zhurmat është një standard i domosdoshëm për çdo zonë turistike që synon cilësi dhe qëndrueshmëri.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, e lidhi këtë nismë me përmirësimin e përgjithshëm të sezonit turistik në zonë. Në kuadër të kësaj vizite, ministri Lamallari, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim në Bashkinë e Lezhës.
Diskutimet u përqendruan te forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe rritja e efikasitetit në terren, me synim garantimin e një sezoni sa më të qetë dhe të sigurt për të gjithë ata që kanë zgjedhur bregdetin e Lezhës këtë verë.
Burim: Shekulli
— Redaksia ZHURMA