Kurti takon zyrtarët e Bujanocit dhe diskuton për Koalicionin Shqiptar
Kryeministri i Kosovës priti në takim kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe kryeshefin për Arsim.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, si dhe me kryeshefin për Arsim në këtë komunë, Agim Hasani. Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit zyrtar, dy zyrtarët nga Bujanoci shprehën mbështetjen e tyre për përkushtimin e kryeministrit drejt bashkimit të subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në kuadër të “Koalicionit Shqiptar”, subjekt ky që merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi me numrin 17.
Në njoftim theksohet se përfaqësimi i fuqishëm dhe dinjitoz kërkon përgjegjësi ndaj interesit të përbashkët, bashkërendim dhe qëndrueshmëri në mbrojtjen e të drejtave. Po ashtu, u vlerësua se barazia, arsimi në gjuhën shqipe dhe mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendlindje mbeten në themel të këtij angazhimi, ndërsa u theksua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në përkrahje të secilit shqiptar dhe secilës shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.