Alternativa për Ndryshim nominon Levent Qazimin për kryetar të KKSH-së
Levent Qazimi, djali i komandant «Lleshi» të UÇPMB-së, është nominuar si bartës liste për zgjedhjet e 8 nëntorit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Subjekti politik Alternativa për Ndryshim ka zyrtarizuar nominimin e Levent Qazimit si bartës të listës dhe kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar, në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen më 8 nëntor. Njoftimin për këtë vendim e ka bërë kryetari i këtij subjekti, Arbër Pajaziti.
Në njoftimet e publikuara, subjekti politik ka vlerësuar pjekurinë dhe përvojën politike e institucionale të Qazimit, duke theksuar përgjegjësinë me të cilën ai ka përmbushur angazhimet e deritanishme. Sipas Alternativës për Ndryshim, rikandidimi i tij përbën mbështetje për një figurë me vlera të dëshmuara dhe synon të korrigjojë atë që e cilësojnë si padrejtësi ndaj tij në zgjedhjet e kaluara për KKSH-në.
Levent Qazimi është djali i Ridvan Qazimit, i njohur si komandant «Lleshi» i UÇPMB-së. Përveç trashëgimisë historike dhe patriotike të Luginës së Preshevës, subjekti bën thirrje që vota e 8 nëntorit të shërbejë për ruajtjen e identitetit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët e zonës.