Pse Kosova nuk duhet të humbasë kohë duke debatuar investimet amerikane?

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj kritikoi qasjen e institucioneve ndaj projektit për gazin amerikan

Pse Kosova nuk duhet të humbasë kohë duke debatuar investimet amerikane?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar qasjen e institucioneve ndaj projektit për gazin amerikan, duke thënë se Kosova nuk duhet të humbasë kohë duke debatuar nëse duhet apo jo të pranojë investime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për VOX Kosova, Limaj tha se diskutimi nuk duhet të jetë nëse Kosova duhet ta pranojë një investim amerikan, por si të sigurohen kushtet më të mira për qytetarët dhe shtetin. “Kosova asnjëherë nuk duhet me i diskutu investimet amerikane. Krejt çka duhet me diskutu është me i gjetë ofertat sa ma të mira dhe me e bërë një kontratë sa më të favorshme për qytetarin dhe vendin. Nuk duhet me u marrë me pyetjen a duhet apo nuk duhet, por si duhet me u bë,” deklaroi ai.

Ai theksoi se debati publik rreth gazit nuk është serioz dhe se fokusi duhet të jetë te rritja e kapaciteteve energjetike të vendit. “Pse nuk është ndërtuar termocentrali i ri? Pse nuk janë rritur kapacitetet energjetike? Ne vazhdojmë të mos i shfrytëzojmë resurset tona ekonomike për shkak të lobimeve dhe interesave të ndryshme,” tha ai.

Sipas tij, Kosova ka humbur mundësi të mëdha për t’u fuqizuar në sektorin e energjisë, duke shtuar se pavarësia energjetike është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare. “Pavarësia energjetike është sikur me pasë një nga ushtritë më të mëdha në Evropë. Dikush nuk ka qenë i interesuar që Kosova të fuqizohet në fushën energjetike. Ne kemi mundur t’i kemi të dyja opsionet, edhe thëngjillin edhe gazin,” u shpreh Limaj.

Ai tha se opozita nuk duhet të kufizohet vetëm te mbështetja ose kundërshtimi i projektit të gazit amerikan, por të hapë debat më të gjerë për orientimin strategjik të vendit dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë. “Opozita duhet me shku më thellë se kaq. Nuk është veç gazi, është marrëdhënia. Duhet me pyet në cilin kurs është Kosova dhe nga po e drejtojmë vendin. Qytetarin dhe opozitën duhet me i shqetësu kursi dhe mentaliteti me të cilin po ecim,” deklaroi ai.

Limaj vlerësoi se opozita duhet të komunikojë më shumë me qytetarët dhe t’u shpjegojë, sipas tij, problemet dhe sfidat me të cilat po përballet vendi. “Me thanë vetëm a je me gazin apo kundër gazit është e pamjaftueshme. Opozita duhet të dalë te qytetarët, shtëpi për shtëpi, lagje për lagje, dhe me ua dhënë shpjegimin e plotë për atë që nuk është duke shkuar mirë në këtë vend,” përfundoi ai.

Burim: Vox Kosova, https://voxkosova.com/gazi-amerikan-fatmir-limaj-investimet-amerikane-sduhet-as-te-diskutohen/

— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Çfarë ndodhi në bastisjen e Policisë në Skenderaj?
  2. Çfarë dëshmoi stërvitja 'Combat Power 26' në Kroaci?
  3. Kush u bastis në Skenderaj pas ekspozimit të armës në rrjete sociale?
  4. Si u shpëtua jeta e një 52-vjeçari pas infarktit masiv?

Vazhdo leximin