Pse Komuna e Kumanovës refuzon të emërojë rrugët e fshatrave periferike?
Banorët e Rramanlit, Llopatit, Çerkezit dhe Tabanocës jetojnë pa adresa zyrtare dhe Komuna nuk ka plan për zgjidhje.
KUMANOVË — Banorët e katër fshatrave dhe lagjeve periferike të Kumanovës vazhdojnë të jetojnë pa adresa të plota, pasi rrugët e tyre ende nuk kanë emra zyrtarë. Në Rramanli, Llopat, Çerkez dhe Tabanocë, mungesa e emërimit të rrugëve krijon pengesa të vazhdueshme në pranimin e faturave, dokumenteve, dërgesave postare dhe shërbimeve të tjera.
Luan Aliu, banor i një rruge pa emër, përshkruan vështirësitë e përditshme: thirrja e taksive, pranimi i porosive, faturat dhe dhënia e ndihmës së shpejtë bëhen ngatërresë për banorët dhe institucionet. "Për fat të mirë, postieri është nga fshati ynë dhe rrallë ka gabime, por nëse ai ndërrohet, mund të krijohet kaos i madh," thotë ai.
Edin Osmani, banor tjetër, thekson se qytetarët paguajnë taksa por nuk marrin shërbime cilësore. "Emërtimi i rrugëve është një nevojë shumëvjeçare dhe duhej të ishte zgjidhur shumë më herët. Me një angazhim serioz, ky problem mund të zgjidhet brenda një viti," deklaron Osmani.
Komuna e Kumanovës u përgjigj shkurt dhe pa angazhim: deri më tani nuk është kryer numërimi i rrugëve pa emër, as nuk ekziston plan apo afat kohor për fillimin e procesit. Ky qëndrim i tyre vazhdon edhe pas tre mandateve të Maksim Dimitrievski si kryetar.
Dimitrievski tani ka hyrë në mandatin e tretë, por edhe më parë nuk e ka parë të arsyeshme të investojë në këto fshatra. Problemi nuk është i izoluar — në Tetovë, Gostivar dhe Strugë banorët përballen me situata të ngjashme, ku mungesa e adresave të standardizuara vështirëson shërbimet publike.
Në Rramanli, kriza kalon emërimin e rrugëve. Prej më shumë se 20 vitesh, banorët jetojnë me frikën e kalimit mbi një hekurudhë pa rampë, mbrojtje apo sinjalizim të duhur. Aksidente të shumta, disa fatale, nuk kanë zvogëluar heshtjen e institucioneve.
Kanalizimi i hapur shton një shqetësim të mëtejshëm. Banorët e Rramanlisë kanë raportuar më herët për këto probleme, por Komuna e Kumanovës i ka anashkaluar kërkesat e tyre. Institucionet qëndrojnë të heshtura përballë një neglizhimi që shtrihet gjatë dekadave.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.