IKD: Raporti i KE-së dëshmon dështimin e reformave dhe mungesën e progresit
Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se Raporti i Komisionit Evropian evidenton probleme serioze në sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 dëshmon për probleme serioze në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave. Sipas IKD-së, gjetjet tregojnë se sfidat e përsëritura nuk janë adresuar në mënyrë të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse, ndërsa vlerësimi se Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit paraqet përkeqësim krahasuar me tri vitet paraprake.
Në fushën e drejtësisë, instituti konsideron se sistemi përballet me sfida që ndërlidhen me pavarësinë, llogaridhënien dhe efikasitetin, duke përfshirë konstatimet për ndikime të papërshtatshme politike dhe ekonomike. Sa i përket luftimit të korrupsionit, raporti evidenton progres të kufizuar dhe mungesë të rezultateve të qëndrueshme në trajtimin e rasteve të nivelit të lartë, ndërsa theksohet se vendi ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse.
Kriza politike dhe institucionale që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 ka ndikuar negativisht në zbatimin e reformave dhe agjendën e integrimit evropian, duke sjellë bllokada dhe vonesa në vendimmarrje. IKD-ja ka ngritur shqetësime edhe për administratën publike, parregullsitë në përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së dhe RTK-së, si dhe krizën financiare të transmetuesit publik, duke kërkuar masa konkrete nga Kuvendi, Qeveria, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial. «Kosova nuk ka nevojë për përsëritjen e premtimeve për reforma, por për institucione funksionale, përgjegjësi politike dhe rezultate të matshme», thuhet në reagimin e IKD-së.