KEK: Kërkesat e punëtorëve do të shqyrtohen pas stabilizimit të situatës
Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas paralajmërimit për protestë, duke thënë se kërkesat do të trajtohen pas stabilizimit të situatës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Korporata Energjetike e Kosovës ka zhvilluar dy takime me përfaqësuesit sindikalë në kuadër të dialogut social, ku janë diskutuar çështjet rreth mirëqenies dhe kërkesave të punonjësve. Sipas Korporatës, menaxhmenti është zotuar se kërkesat e punëtorëve do të shqyrtohen në varësi të mundësive financiare, ndërsa ka përmendur se gjatë muajit prill punëtorëve iu nda një bonus prej 300 eurosh dhe paga bazë u rrit për 60 euro për secilin punonjës.
Megjithatë, njëra nga sindikatat vendosi të ndërpresë dialogun dhe paralajmëroi organizimin e një proteste. KEK ka theksuar se e respekton të drejtën e punëtorëve për organizim dhe protestë, por ka kërkuar që të merret parasysh rëndësia e ndërmarrjes. «KEK Sh.A. është pjesë vitale e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës dhe se të gjithë duhet të sillemi në përputhje me këto përgjegjësi», thuhet në komunikatë.
Sipas Korporatës, prioritet aktual mbetet përfundimi i projekteve kapitale, modernizimi i kapaciteteve prodhuese, ruajtja e vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe nxjerrja e thëngjillit në minierë. «Menaxhmenti i KEK-ut mbetet i përkushtuar që, pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operacionale, të përqendrohet në shqyrtimin e mundësive konkrete për adresimin e kërkesave të punonjësve», thuhet në reagim.