Rizvanolli: Çmimi i energjisë shkon në 500 euro, paralajmërohet dimër i vështirë
Ministrja e Ekonomisë flet për sfidat e furnizimit dhe ngritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur në afërsisht 500 euro për megavat-orë që gjatë ditëve të para të muajit nëntor, duke paralajmëruar një periudhë sfiduese për furnizimin. Ajo ka vënë informatat e tanishme në krahasim me krizën e vitit 2021, kur shifra të tilla regjistroheshin vetëm në kulmin e stinës së ftohtë. Sipas saj, zhvillimet e tilla vijnë si pasojë e konfliktit në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, faktorë që kanë ndikuar drejtpërdrejt te nafta dhe gazi natyror i lëngëzuar.
Vendi ynë po përballet me vështirësi shtesë edhe për shkak se blloku B1 i Termocentralit Kosova B mbetet jashtë funksionit prej datës 6 prill, për shkak të punimeve në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit. Ministrja ka bërë të ditur se projekti ka shfaqur vonesa, ndërsa dikasteri që ajo drejton është në kontakte të vazhdueshme me Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Bashkimin Evropian për të përshpejtuar punimet. Si masë parandaluese për tejkalimin e sfidave, janë rritur për 350 megavat në total kapacitetet interkonektive me shtetet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.