Bajram Lani renditet i pari për drejtor të Radio Kosovës
Lëvizja FOL ngre shqetësime për transparencën e procesit ku Bajram Lani mori më shumë pikë për drejtor të Radio Kosovës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Bajram Lani ka siguruar pikët më të larta në konkursin për pozitën e drejtorit të Radio Kosovës, ndërsa Lëvizja FOL ka ngritur shqetësime lidhur me kushtet dhe transparencën e intervistimit. Procesi i vlerësimit përfshinte dy komponentë, ku kandidatët mund të merrnin deri në 40 pikë për prezantimin e konceptit brenda dhjetë minutave, si dhe deri në 10 pikë për secilën përgjigje ndaj pyetjeve të komisionit, me një afat kohor prej tri minutash për çdo përgjigje.
Sipas raportit të monitorimit nga Lëvizja FOL, vëzhguesit nuk u lejuan të ishin të pranishëm gjatë përcaktimit të pyetjeve të komisionit për kandidatët. Po ashtu, pati përplasje mes komisionit dhe monitoruesve për përdorimin e pajisjeve elektronike, pasi kryetarja e komisionit, Aleksandra Jovanoviq, kërkoi largimin e telefonave dhe laptopëve me arsyetimin se pyetjet mund t'u dërgoheshin kandidatëve të tjerë. Monitoruesit e kundërshtuan këtë kërkesë duke theksuar se pajisjet janë mjete pune dhe se ky kufizim nuk mbështetet në rregulloret e transmetuesit publik.
Lani është bashkëshorti i Leonora Bërbatovcit, e cila shërbente si ushtruese e detyrës së kryeredaktores në kohën kur transmetuesi publik publikoi lajmin e rremë ndaj mediave Nacionale dhe Periskopi.