Karakaçi: Rruga Tiranë-Durrës hapet në fillim të vitit 2027
Ministri i Infrastrukturës bëri të ditur se zgjerimi i superstradës do të shtrihet deri tek Ura e Dajlanit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
DURRËS — Rruga e re Tiranë-Durrës do të hapet për qarkullimin e automjeteve në dy muajt e parë të vitit 2027, ndërsa projekti i zgjerimit të këtij aksi parashikohet të shtrihet deri në zonën e Urës së Dajlanit gjatë viteve 2027-2028. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se tashmë kanë përfunduar punimet për 5 kilometrat e parë të zgjerimit, ndërkohë që po punohet për të vijuar projektin deri mbi Qafën e Kasharit.
Gjatë një interviste, ministri tha se zgjerimi i superstradës është i financuar tërësisht në kuadër të programit afatmesëm të ministrisë për periudhën 2027-2029. Përveç këtij segmenti, ai foli edhe për aksin Tiranë-Ndroq-Plepa, ku sipas tij kanë përfunduar 5 kilometrat e parë të punimeve dhe janë lidhur kontratat për 10 kilometrat e tjerë, ndërsa në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar përmbyllja e financimit për këtë projekt.