Instituti i Ndërtimit: Pallati në Elbasan paraqet rrezik shembjeje
Raporti paraprak kërkon ndalimin e përdorimit të godinës së dëmtuar nga shpërthimi dhe vendosjen e një perimetri sigurie prej 30 metrash.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
ELBASAN — Instituti i Ndërtimit ka dorëzuar raportin paraprak të vlerësimit për pallatin e dëmtuar nga shpërthimi i bombolës së gazit dhe zjarri në qytetin e Elbasanit. Ekspertët kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të godinës dhe kufizimin e aksesit në të, pasi dëmtimet e konsiderueshme kanë prekur elementet konstruktive dhe jokonstruktive të objektit.
Sipas shkresës së institucionit, soleta e katit të pestë mbi zonën e shpërthimit rrezikon shembjen nga momenti në moment, ndërsa gjendja aktuale paraqet rrezik potencial për banorët dhe personat e tjerë. Për këtë arsye, rekomandohet përcaktimi i një perimetri sigurie prej 20 deri në 30 metrash dhe marrja e masave për të parandaluar rënien e elementeve të dëmtuara.
Aktualisht po kryhen akt-ekspertiza të thelluara, të cilat përfshijnë investigime konstruktive, testime laboratorike të materialeve dhe analiza për vlerësimin e qëndrueshmërisë së objektit. Rezultatet përfundimtare pritet të përcaktojnë shkallën e saktë të dëmtimit dhe ndërhyrjet e ardhshme.