Inspektorati në Kamenicë gjobit pronarin e biznesit për mbeturinat në Koretin
Një gjobë prej 500 eurosh është shqiptuar ndaj një pronari biznesi për hedhjen e mbeturinave inerte në shtratin e lumit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Inspektorati Komunal i Kamenicës ka ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj një pronari biznesi, pasi është konstatuar hedhja e mbeturinave inerte në shtratin e lumit në fshatin Koretin. Veprimi i kundërligjshëm është zbuluar pasi banorët e zonës kanë paraqitur ankesat e tyre dhe Policia e Kosovës ka thirrur inspektorët në terren, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë verifikuar shkeljen e dispozitave ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Për këtë shkelje është vendosur gjoba në vlerë prej 500 eurosh, ndërsa personit përgjegjës i është kërkuar shlyerja e detyrimit financiar brenda afatit të përcaktuar ligjor. Komuna e Kamenicës ka theksuar se nuk do të tolerojë veprime që cenojnë mjedisin dhe ndotin hapësirat publike, duke shtuar se çdo rast i ngjashëm do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë përgjegjësi, duke mos hedhur mbeturina në lumenj dhe hapësira të tjera publike.