Festivali “Ditët e Nëntorit” sjell katër netë kulturore në Gjakovë
Edicioni i tretë i festivalit organizuar nga Fondacioni për Gjakovën mbledh artistë dhe aktivitete nga 20 deri më 28 nëntor.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
GJAKOVË — Qyteti i Gjakovës do të mirëpresë edicionin e tretë të festivalit “Ditët e Nëntorit”, i cili do të mbahet nga 20 deri më 28 nëntor. Ngjarja, e organizuar nga Fondacioni për Gjakovën, sjell katër mbrëmje koncertale, panele diskutimi, ekspozitë dhe aktivitete që ndërthurin muzikën, trashëgiminë kulturore dhe dialogun shoqëror në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, duke filluar nga ora 20:00.
Programi koncertal hapet më 20 nëntor me “Natën Gjakovare” ku interpretojnë Edi Furra, Ardian Këpuska, Hyda Osa dhe Orkestri Lirikët, ndërsa më 21 nëntor “Nata e Beratit” sjell grupin “Pulsi i Beratit”. Më 27 nëntor, “Nata e Ulqinit” prezanton SHKA “Olcinium”, kurse festivali përmbyllet më 28 nëntor me “Natën e Korçës”, ku do të performojnë Eli Fara dhe Ansambli “Skënderbeu”. Pjesë e ngjarjeve janë edhe panelet me Fatos Lubonjën, Lucy Duran, Edit Pulën, Vllaznim Xhihën e Veton Surroin, si dhe debatet mes nxënësve të shkollave të mesme nga Kosova dhe Shqipëria.
Publiku do të mund të vizitojë ekspozitën “Veshje origjinale të nuseve shqiptare” nga Eralda Baze dhe grupi më 20 dhe 21 nëntor. Më 27 nëntor shfaqet premiera e filmit “Cigarja e fundit” nga Enis Murati, kurse më 28 nëntor lansohet platforma digjitale e Shtëpisë së Durimit me një tur virtual të Muzeut Historik të Familjes Qerkezi 1999. Sipas Fondacionit për Gjakovën, të gjitha të ardhurat do të shkojnë për promovimin e turizmit kulturor në Çarshinë e Madhe, ndërsa biletat mund të rezervohen online në appfondacionipergjakoven.org.