Gonxhja: Bashkitë duhet të fuqizohen për turizëm
Ministri i Turizmit thekson nevojën për forcimin e kapaciteteve të bashkive
TIRANË — Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vlerësoi sot rolin e pushtetit vendor në menaxhimin e situatave lidhur me turizmin, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe përmirësimin e administrimit vendor.
Në një intervistë televizive, Gonxhja tha se turizmi është një sektor i gjerë dhe ndërsektorial, i cili ndikohet drejtpërdrejt nga mënyra se si funksionojnë bashkitë dhe nga niveli i menaxhimit të tyre.
“Turizmi ndikohet shumë nga bashki të forta apo bashki të paafta, bashki të mira apo bashki që nuk janë ku duhet”, u shpreh ai. Sipas tij, ka bashki që kanë vështirësi në menaxhimin e shërbimeve, përfshirë mbledhjen e mbetjeve urbane.
I pyetur mbi reformën e re territoriale, Gonxhja tha nga njëra anë duhet të fuqizohen bashkitë, ndërsa nga ana tjetër duhet të përcaktohen qartë shërbimet që është më e dobishme të menaxhohen në mënyrë të përbashkët dhe ato që mund të ofrohen në mënyrë autonome nga pushteti vendor.
“Gjithçka çfarë mund të bëhet së bashku dhe është më e mirë po ta bëjmë së bashku duhet ta materializojmë. Gjithçka tjetër çfarë mund të jetë më mirë në kuptimin autonom dhe në kuptimin e fragmentarizuar, sepse mund të jetë një shërbim me vlerë, sjell vlerë të shtuar në komunitet dhe e bën atë ndryshe nga një bashki tek një bashki tjetër, duhet ta ruajmë dhe ta mbajmë”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk lidhet vetëm me përshtatjen e legjislacionit, por edhe me krijimin e një kulture të respektimit të rregullave të përbashkëta. Në këtë drejtim, Gonxhja shprehu bindjen se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të krijojë mundësi të reja për Shqipërinë, përmes aksesit në tregun evropian, programeve dhe financimeve.
“Hyrja në Bashkimin Europian nuk është vetëm suksesi i një qeverie apo i një epoke, por është hapja e një ere krejt të re në mundësitë që ne do kemi”, u shpreh ministri.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA