Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Mërkurë · 29 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Gonxhja: Rritja e turizmit rrëzohet në qershor — 1.3% kundër 16% të majit

Ministri i Turizmit: 16% rritje në maj, 1.3% në qershor

Redaksia ZHURMA + Ruaj
Gonxhja: Rritja e turizmit rrëzohet në qershor — 1.3% kundër 16% të majit
FOTO · Foto: Ministry of Tourism, Cultural Affairs, Youth and Sports (Albania) (BLGU Spring S / Wikimedia Commons

TIRANË — Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se gjatë muajve të parë të vitit kishte një trend pozitiv në rritjen e numrit të turistëve, ndërsa në muajin qershor pati një frenim të rritjes së turizmit. Në një intervistë televizive, Gonxhja tha se në muajin maj kishim rreth 16% më shumë rritje krahasuar me majin e vitit të kaluar.

Sipas tij, pesëmujori i parë shënoi 8.2% rritje të numrit të turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërsa në muajin qershor, sipas ministrit, pati një frenim të rritjes turistike, me vetëm 1.3% rritje krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Në maj kishim 16% rritje në krahasim me vitin e kaluar, në qershor 1.3% rritje në krahasim me vitin e kaluar. Në pesëmujorin e parë 8.2%, në qershor 1.3%. Në krahasim me muajin majin është rreth 12.2 herë më pak rritje në qershor dhe kjo vjen qartësisht për shkak të situatës së destabilizuar, mungesës së qetësisë, mungesës së sigurisë që ndikon tek turisti dhe vizitori i huaj”, u shpreh Gonxhja.

Ai tha se situata e krijura nga protesta ka ndikuar veçanërisht te turistët gjermanë dhe vizitorët nga rajoni, të cilët, sipas tij, kanë alternativa të tjera turistike në vende si Mali i Zi, Greqia dhe Turqia.

“Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë rimenduar planet e tyre të pushimit në qershor, sepse jo vetëm destabilizimi ka ndikuar në një numër hyrjesh, por ndikon edhe në faktin që vetë sektori, vetë industria e turizmit ka tentuar në një lloj vetëmbrojtjeje të marrë masa”, tha ministri.

Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar edhe në qëndrueshmërinë e çmimeve dhe rezervimeve, duke bërë që pronarët e strukturave turistike të marrin vendime në mënyrë më instinktive.

“Kjo gjë nuk e ka ndihmuar qershorin, kjo gjë e ka penguar qershorin dhe kjo gjë na ka bërë që të jemi me numra të cilët janë tashmë alarmantë sa i takon rritjes turistike që ne prisnim sivjet dhe që ne kishim punuar të kishim”, deklaroi Gonxhja.

Sipas tij, Shqipëria nuk ka ndryshuar në mënyrë të tillë mes muajve maj dhe qershor, por ata që nuk udhëtuan drejt Shqipërisë në qershor u shqetësuan nga situata dhe paqëndrueshmëria.

“Shqipëria është po ajo. Kushtet janë po ato. Çmimet ishin po ato. Vendet janë po ato. Ne jemi po këta. Ata që nuk erdhën në qershor janë ata që u shqetësuan nga paqëndrueshmëria e situatës në Shqipëri”, u shpreh ai.

Gonxhja tha se është e mundur që problematikat dhe përplasjet të trajtohen përmes rrugëve institucionale, duke shmangur dëmtimin e turizmit.

“Mund të bëhen të gjitha, të gjejmë rrugë sa më institucionale, të gjejmë rrugë të cilat janë sa më të padëmshme për këtë forcë, këtë energji që vendi ka nevojë të ketë përmes turizmit, sepse nëse humbim në turizëm, humbim të gjithë”, deklaroi ministri.

Duke folur për masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Gonxhja u shpreh se gjatë muajve të parë të vitit puna është fokusuar në problematikat që lidhen me ndotjen akustike, edukatën mjedisore, mbetjet, trajtimin e ujërave të zeza, kolektorët dhe kanalet e kullimit, si dhe në çështjen e çmimeve dhe aksesit në bregdet.

“Ne i njohim mangësitë tona dhe i dimë limitet tona dhe po luftonim për fenomenin e ndotjes akustike, po luftonim për fenomenin e një edukate sa i takon ambientit të pastër dhe mbetjeve në përgjithësi, sepse në këtë pikë kemi goxha problematika që lidhen edhe me grumbullimin dhe trajtimin e tyre, por edhe me një pjesë të asaj që ende mungon në komunitet, që është një lloj përgjegjësie. Kjo nuk është një detyrë vetëm e një firme apo e një bashkie apo e një institucioni, por është një detyrë që i takon gjithë shoqërisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti është punuar për një tipologji të re të menaxhimit të plazheve publike, përmes parcelave të menaxhuara nga bashkitë, ku vendosen me ose pa pagesë çadra dhe shezlongë, me synimin për të shërbyer si rregullator i çmimeve mes zonave të menaxhuara nga privatët dhe plazheve të lira.

“Qytetari kishte mundësi që krahas plazhit publik dhe krahas plazhit të menaxhuar nga privati, ku çmimet herë pas here kanë qenë të papërballueshme dhe ka qenë një problem shqetësues, të kishte dhe tipologjinë e parcelave të menaxhuara nga bashkitë”, tha Gonxhja.

Ai u shpreh se në zona më të kërkuara turistike është punuar për të shmangur abuzimet dhe zaptimet, ndërsa përmendi edhe masat e marra për sigurinë në det, përmes bovave, pontileve, moleve dhe strukturave të bregëzimit, me qëllim krijimin e korridoreve të sigurta për mjetet lundruese.

Burim: ATSH, https://ata.gov.al/2026/07/28/gonxhja-frenim-i-rritjes-se-turizmit-ne-qershor-12-2-here-me-pak-turiste-se-ne-maj/
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Shqipëri →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →