Gara: Mungesa e informacioneve nga Serbia pengon të zhdukurit
Mbetjet mortore të të paku një personi janë zbuluar në fshatin Brod të Shtërpcës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Mbetjet mortore të së paku një personi janë gjetur dhe zhvarrosur në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, ndërsa janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim dhe analiza të ADN-së për identifikim të mundshëm. Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se ky kërkim u ndërmor bazuar në informatat e siguruara nga qytetarët dhe familjarët.
Gërmimet e para kishin nisur më 6 nëntor, por për shkak të ndryshimeve në infrastrukturë dhe specifikave të terrenit atë ditë nuk u arrit të gjendej gjë. «Jemi rikthyer sërish sot dhe, pas angazhimit të të gjitha ekipeve, është arritur të gjenden dhe zhvarrosen mbetjet mortore, që sipas antropologëve, si ekspertë të Institutit për Mjekësi Ligjore, i përkasin minimumi një personi», deklaroi Gara, duke shtuar se mostrat do të krahasohen me ato referente të familjarëve.
Gjatë këtij viti janë trajtuar rreth 20 deri në 21 lokacione, ndërsa ndër rastet më të rëndësishme u veçuan gjetjet në Jabuk dhe Kalludër të Zubin Potokut. Kërkimet pritet të vazhdojnë në lokacione të tjera, si në një fshat në Komunën e Pejës, varrezat në veri të Mitrovicës, Miradinë të Fushë-Kosovës dhe varrezat e Prishtinës në lagjen Arbëria.
Sipas Garës, si pengesë kryesore mbetet mungesa e qasjes dhe e informacioneve nga arkivat e institucioneve të Serbisë. «Pengesa më e madhe mbetet mungesa e informacioneve që do të duhej të vinin nga arkivat e institucioneve të Serbisë, po flas për arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe arkivat e policisë serbe», theksoi ai, duke përmendur gjithashtu vështirësitë në lokacionet e dyshuara për varreza masive në territorin e Serbisë.