Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Enjte · 23 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Shkupi blen 100 autobusë ekologjikë — tenderi kushton 50 milionë euro

Kompanitë ofron 3.12 miliardë denarë për furnizim; dorëzimi në tre faza

Redaksia ZHURMA Përditësuar 20:25 + Ruaj
Shkupi blen 100 autobusë ekologjikë — tenderi kushton 50 milionë euro
FOTO · Foto: Autobuses eléctricos BYD en Bogotá / Wikimedia Commons

— SHKUP — Qyteti i Shkupit do të pasurohet edhe me 100 autobusë të rinj ekologjikë, pas realizimit të tenderit, tender i cili ishte anuluar disa herë. Fitues i tenderit është EVN-ja dhe “Ikarus”. Në këtë tender morën pjesë katër kompani, transmeton Portalb.mk.

“Jam shumë i kënaqur t’ju njoftoj se sapo pata një bisedë telefonike me Ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, i cili më informoi se procedura e tenderit dhe oferta publike për prokurimin e 100 autobusëve të rinj ekologjikë për qytetin e Shkupit ka përfunduar me sukses!”, raportoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Ai theksoi se në rrjedhë janë dhjetë ditët e ankesave, ndërkohë këtë furnizim e vlerësoi si një hap historik për transportin publik. Në ankandin elektronik, kompania hungareze Ikarus Electric, së bashku me EVN, ofruan çmimin më të ulët, me një ofertë prej 3.12 miliardë denarë, ose pak mbi 50 milionë euro pa TVSH.

Një autobus do të kushtonte pak më pak se 20 milionë denarë, ose 322,000 euro pa TVSH, dhe një stacion karikimi 2.02 milionë denarë (32,500 euro) pa TVSH. Nëse kontrata nënshkruhet, dorëzimi duhet të bëhet në tre faza. 30 autobusët e parë elektrikë dhe 15 stacionet e karikimit duhet të dorëzohen brenda gjashtë muajsh, pastaj 60 autobusë dhe 30 stacione të tjera brenda 12 muajsh, dhe 60 autobusët dhe 30 stacionet e fundit brenda 18 muajve nga nënshkrimi i kontratës.

Procedura për furnizim u përsërit pas anulimit të tenderit të mëparshëm për 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione për mbushje. Njëqind autobusë janë paraparë për Shkupin, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera në shtet. Ndryshe, në javën e parë të korrikut ka përfunduar thirrja e tretë për furnizimin me autobusë të rinj, por pasiguria mbetet.

Çështja e autobusëve të rinj është zvarritur prej kohësh. Gjatë mandatit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, mediat raportuan se pika për furnizimin me autobusë të rinj ishte paraqitur disa herë para këshilltarëve, por nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u futur në rendin e ditës.

Burim: Portalb, https://portalb.mk/u-realizua-me-sukses-tenderi-evn-ja-se-bashku-me-nje-kompani-tjeter-do-te-sjellin-100-autobuse-ekologjike-ne-shkup/
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Maqedoni →