Lubia
Lubia, në mitologjinë popullore shqiptare demon femër, që përfytyrohej si një gjarpër me bisht të gjatë e me shumë kokë (shtatë deri në njëqind). Kur i prisnin njërën kokë, në vend të saj dilnin të tjerat. I ngjante hidrës së Lernit të mitologjisë greke. Nga ana tjetër
ajo del si një përbindësh që shteronte ujin në tokë, në qoftë se nuk i flijonin një virgjëreshë (kujto mitin grek mbi Perseun dhe Andromedën). Në këtë tipar ajo afrohej me kuçedrën që ha vajzat e reja. Në disa zona të Shqipërisë së Jugut lubia përfytyrohej si qenie që kërkon veçanërisht mishin e fëmijëve dhe në këtë tipar ajo afrohej më tepër me shtrigat. Në kuptimin e figurshëm, fjala lubi do të thotë njeri që ha shumë, njeri i pangopur.