ASK: Konsumi i energjisë elektrike u rrit me 17.95 për qind në gusht
Statistikat e reja të energjisë tregojnë rritje të konsumit dhe të prodhimit hidroenergjetik, krahas uljes së prodhimit të thëngjillit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Të dhënat e reja të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje prej 17,95 për qind në muajin gusht, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gjatë këtij muaji, sasia e konsumuar e energjisë elektrike ka arritur në 453,38 gigavat-orë, ndërsa energjia bruto në dispozicion ka arritur në 544,61 gigavat-orë, duke shënuar rritje prej 8,46 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas të dhënave statistikore, importi i energjisë elektrike ka qenë 400,82 gigavat-orë, kurse eksporti bashkë me energjinë e transmetuar ka arritur në 311,21 gigavat-orë. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në konsumin e përgjithshëm është regjistruar në nivelin prej 7,42 për qind.
Në sektorin e prodhimit brenda vendit, hidrocentralet kanë shënuar rritje vjetore të prodhimit prej 33,24 për qind, duke arritur në 7,47 gigavat-orë. Nga ana tjetër, prodhimi i thëngjillit ka pësuar rënie prej 3,65 për qind, duke arritur në 477 mijë e 562 tonë gjatë muajit gusht.