Çfarë roli luan arti në Revolucionin e Flamingove?
Grupi 'Ritmi i Rezistencës' ka shfaqur flamingon në dhjetëra forma artistike, duke dhënë protestës një identitet vizual të dallueshëm.
TIRANË — Arti ka marrë rol qendror në "Revolucionin e Flamingove", protestat kundër qeverisë dhe lidershipit politik që kanë vazhduar për më shumë se një muaj në bulevardin kryesor të Tiranës. Instalacione, ilustrime, pankarta, performanca dhe simbole vizuale kanë tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve, por edhe të mediave vendase dhe ndërkombëtare.
Një grup artistësh, i organizuar nën emrin "Ritmi i Rezistencës", ka vendosur flamingon në qendër të kësaj gjuhe vizuale. Flamingoja, simboli kryesor i protestës, është bërë elementi më i identifikueshëm i marshimeve në bulevard.
Sipas aktivistit Arnen Sula nga "Ritmi i Rezistencës", arti nuk ka shërbyer si element dekorativ. "Prania e flamingove ka krijuar një identitet vizual që e bën protestën më të dallueshme dhe më tërheqëse," tha ai për BIRN. Sipas tij, arti ndihmon në bashkimin e njerëzve me bindje dhe përvoja të ndryshme rreth një kauze të përbashkët.
Për grafisten dhe artisten multidisiplinare Elsa Paja, protesta ka krijuar një hapësirë ku arti politik është shfaqur jashtë institucioneve kulturore. "Përfshirja e kaq shumë artistëve në protestë jo vetëm që i ka dhënë më shumë vlerë protestës, por ka krijuar edhe një hapësirë të re krijuese në Shqipëri," tha ajo.
Paja argumentoi se një pjesë e skenës artistike në vend është e varur nga institucionet publike, ndërsa protesta u ka krijuar artistëve mundësinë ta përdorin artin si formë rezistence. "Janë me dhjetëra artistë që janë përfshirë dhe kanë guximin ta përdorin artin si formë rezistence," tha ajo. Sipas Pajës, angazhimi qytetar është parakusht për çdo ndryshim shoqëror.
Pas më shumë se një muaji protestash, artistët dhe aktivistët pranojnë se ritmi i përditshëm ka qenë fizikisht i lodhshëm, por thonë se ka krijuar lidhje të forta mes pjesëmarrësve. "Përtej protestës, është krijuar një komunitet," tha Sula. "Bulevardi është kthyer në një pikëtakim ku mblidhen njerëz me energji, ide dhe dëshirë për ndryshim."
Edhe Paja e përshkroi këtë ndjenjë komuniteti duke iu referuar simbolit të protestës. "Këto ditë secili prej nesh ndihet flamingo. Flamingot, kur bëhen bashkë, e kanë shumë më të lehtë fluturimin," tha ajo për BIRN.
Burim: Reporter.al
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.