Arrestohet në Spanjë 36-vjeçari nga Shkodra për tentativë vrasjeje
Operacioni ndërkombëtar "The Wanted" çon në pranga në Spanjë shtetasin Armando Ndreu.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
SHKODËR — Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit, është finalizuar një tjetër fazë e operacionit të koduar The Wanted
. Në kuadër të këtij aksioni, u arrestua provizorisht në Spanjë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 36-vjeçari Armando Ndreu, i lindur në Shkodër dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i kishte caktuar këtij shtetasi në vitin 2022 masën e sigurisë Arrest në burg
. Ai akuzohet për veprat penale Vrasja
, mbetur në tentativë, si dhe Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit
.
Sipas Policisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në muajin mars 2022 në lagjen Skënderbeg
, ku 36-vjeçari për motive të dobëta qëlloi me armë zjarri automatike në drejtim të një subjekti në pronësi të shtetasit Sadet Sala, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Interpol Tirana dhe Interpol Madridi po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të tij.