Kurti fut Unazën e Prishtinës në investimet kapitale për vitin 2027
Qeveria ndan mbi 1 miliard euro për investime kapitale, duke përfshirë projektin e Unazës së Prishtinës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
PRISHTINË — Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë se buxheti i ri për vitin 2027 parasheh mbi 1 miliard euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve të reja si Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autoudha e Dukagjinit dhe rrugë të tjera rajonale e nacionale. Përfshirja e këtij projekti vjen pas pretendimeve të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, i cili e kishte akuzuar Qeverinë se po e bllokonte ndërtimin e unazës për shkak të mosmarrjes së një garancioni apo miratimi nga Ministria e Financave për një kredi të butë në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas kryetarit Rama, ky plan, i cili përfshin 29 kilometra rrugë të jashtme dhe synon zgjidhjen e trafikut të dendur në Prishtinë, përbënte premtimin kryesor të fushatës së tij të parë zgjedhore kur erdhi nga Londra, ndërsa gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2025 u konsiderua domosdoshmëri edhe nga kandidati i atëhershëm i LVV-së për kryetar, Hajrulla Çeku. Ndërkohë, sipas Qeverisë, buxheti i ri synon të adresojë nevojat e infrastrukturës përmes investimeve madhore në rang vendi.