Familja e Jona Krasniqit reagon ndaj sulmeve në rrjet
Familjarët e banores së Big Brother VIP Kosova 5 kanë reaguar në Instagram ndaj akuzave dhe fyerjeve publike.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Derisa Jona Krasniqi vazhdon të qëndrojë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova 5, familjarët e saj janë prononcuar përmes llogarisë së saj zyrtare në Instagram lidhur me fushatën e komenteve dhe fyerjeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Në një postim të gjatë në InstaStory, familja ka sjellë në vëmendje aktivitetet e saj të kaluara, duke përmendur se para më shumë se një dekade ajo kishte themeluar një grup në Facebook për vajzat dhe gratë shqiptare që jetonin në Zvicër, Gjermani dhe Austri, ku diskutoheshin sfidat e tyre kulturore dhe sociale.
Sipas familjarëve, ajo ka mbajtur gjithmonë qëndrime feministe duke mbrojtur lirinë e grave dhe të drejtën e tyre për të marrë vendime pa u gjykuar, ndonëse këto qëndrime shpesh janë shoqëruar me fyerje. Ata kanë shtuar se një deklaratë e bërë prej saj kur ishte rreth 20 vjeçe nuk duhet të shërbejë si mjet për sulme të vazhdueshme, pasi njerëzit ndryshojnë me kalimin e viteve.
Në reagim gjithashtu trajtohet çështja e fotografive të falsifikuara përmes teknologjisë që shfaqnin imazhe të zhveshura të saj, të cilat ishin shpërndarë publikisht dhe dërguar familjarëve. Sipas deklaratës, ajo kishte dorëzuar më parë një kallëzim penal në polici ndaj personit të dyshuar. Në përfundim, familja ka ngritur shqetësimin se si mund të pritet që gratë të mbrojnë njëra-tjetrën kundër dhunës, kur një grua që ka kaluar situata të tilla vazhdon të përballet me sulme të ngjashme.