Aksidentet rrugore në rritje, Tirana dhe Durrësi kryesojnë
Të dhënat e INSTAT tregojnë rritje të aksidenteve në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, ku Tirana dhe Durrësi mbajnë peshën kryesore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
TIRANË — Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, numri i aksidenteve rrugore në vend shënoi një rritje prej 4.3%, sipas të dhënavë të publikuara nga Instituti i Statistikave. Në total u regjistruan 1,193 aksidente, krahasuar me 1,144 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa shifra e personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 1,639, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.1%.
Qarqet e Tiranës dhe Durrësit regjistruan shtimin më të madh dhe përqendruan pothuajse 48% të aksidenteve në shkallë vendi, nga 37% që kishin një vit më parë. Në Durrës, aksidentet u rritën me 75.3% duke arritur në 135 raste, ndërsa numri i të lënduarve e të vrarëve u shtua me 51.7% në 182. Në Tiranë, aksidentet u rritën me 25.7% duke shkuar në 435, kurse numri i të aksidentuarve arriti në 529. Rritje patën edhe Gjirokastra, Kukësi, Vlora dhe Fieri, ndërsa Shkodra shënoi ulje prej 43.8%, krahas zvogëlimit në Berat e Dibër.
Vetëm gjatë muajit tetor u regjistruan 103 aksidente rrugore, ku 89.3% e tyre ndodhën si pasojë e sjelljes dhe mosrespektimit të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç shënoi numrin më të lartë me 24.3% të totalit, ndërsa orët nga 19:00 deri në mesnatë përqendruan 26.2% të rasteve të tetorit, me të mërkurën dhe të premtën si ditët më problematike.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


