I dënuari Dritan Imeri sulmoi efektivin Agron Bebja në burgun e Burrelit
Detaje të reja nga dhuna në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ku i dënuari goditi policin me objekte të forta.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Dritan Imeri, i dënuar me 25 vjet burg, sulmoi punonjësin e policisë së burgjeve Agron Bebja pasi ky i fundit hapi derën e qelisë gjatë natës për t'i mundësuar shkuarjen në tualet. I dënuari e goditi efektivin në kokë me një objekt të fortë, ndërsa në ndihmë të tij ndërhyri një efektiv tjetër i policisë së burgjeve. Si pasojë e dhunës, punonjësi i policisë mori gjashtë qepje në kokë dhe iu nënshtrua trajtimit mjekësor.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor i Prokurorisë së Dibrës, kur u pyet për motivin e veprimit, i dënuari u përgjigj: «Ma dha truri». Pas incidentit të regjistruar në institucionin e izolimit të sigurisë së lartë, Imeri u transferua dhe u izolua në sektorin e veçimit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka lëshuar ende një raportim zyrtar lidhur me ngjarjen.


