Agjenda e ngjarjeve institucionale dhe aktiviteteve publike
Përmbledhje e zhvillimeve, takimeve dhe aktiviteteve të paralajmëruara për këtë periudhë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Mbahet Samiti i Paqes dhe Demokracisë në Kosovë me temën «Epoka e Entropisë» në hotel «Venus» në Prishtinë. Instituti Demokratik i Kosovës prezanton gjetjet kryesore dhe rekomandimet lidhur me monitorimin e Reformës në Drejtësi për periudhën janar–qershor. Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë mban ceremoninë përmbyllëse të «Pakos së Mbështetjes për Energjinë në Kosovë», ngjarje ku merr pjesë kryeministri Albin Kurti.
Gjithashtu, Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportet për llogaridhënien, integritetin në sistemin e drejtësisë dhe reformën e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë. Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, mban konferencë për media lidhur me Lojërat Mesdhetare. Në Skenderaj organizohet ceremonia e varrimit të mbetjeve mortore të heroit Idriz Rrecaj, e përcjellë me akademi përkujtimore, homazhe pranë arkivolit dhe ceremoninë e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Marinë. Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit mban takim me përfaqësuesit e postave dhe ofruesit e shërbimeve postare në restorantin «Gizzi».