8.4 milionë euro për impiant ujërave të ndotura në Jalë
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë hap tenderin me fond 778.7 mln lekë pa TVSH për ndërtimin e impiantit dhe rrjetit të kanalizimeve me afat 18 muaj.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Zhvillimi i turizmit në bregdetin e Jugut ka shtuar presionin mbi infrastrukturën ekzistuese, duke kërkuar ndërhyrje të reja në furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Në Jalë, ku ndërtimet turistike janë intensivizuara vitet e fundit me dhënie lejeve për hotele, resorte dhe vila, do të investohen rreth 8.49 milionë euro për një impiant trajtimi ujërave të ndotura dhe sistemin e kanalizimeve. Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve në Vlorë hapi më 12 tetor tenderin me fond limit 778.7 milionë lekë pa TVSH. Afati i parashikuar për realizimin e punimeve është 18 muaj.
Relacioni teknik i projektit tregon se zhvillimi i ndërtimeve turistike ka ecur para pa një sistem të integruar për largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Rrjeti aktual i kanalizimeve është i paplote dhe i fragmentuar, ndërsa pjesa më e madhe e ndërtesave ekzistuese, përfshirë njësitë akomoduese dhe bizneset turistike, mbështeten në gropa septike ose depozita individuale. Problemet rëndohen gjatë sezonit veror, kur numri i vizitorëve shumëfishohet, duke bërë që sistemet ekzistuese të mbingarkohen.